Dikur humba ngjyrat e tani shoh bardhë e zi.
Koka jote me tela qëndronte ngjeshur në trupin më gjymtyrë të fyryra e të ngrira. Pallate të shumëfishuara me vrima katrore. Mjete lëvizëse me rrota e tym.
Ishte një humbje e ngadaltë, mori disa muaj.
Kur ti më thyeje qelqe afër stomakut, shihja copa gri të më dilnin nga pas veshit e të ngriheshin në ajër ngadalë, pastaj shumë shpejt. Në fillim u sheshuan sytë e u bënë një me ballin, pastaj hunda filloj të shtypej e buzët u përzgjatën qesharakshëm e frikshëm.
Në fillim s’po e kuptoja, pastaj u shqetësova shumë, pastaj e fjeta mendjen.
Tani fytyra jote është një pllakë mermeri me motive që makina më tha se po t’i shohësh me vëmendje mund të të kujtojnë sy, hundë ose gojë. Po mua më duken thjesht viza, tela që ngatërrohen me njëri-tjetrin.
Përveçse bardhë e zi kam frikë se gjithçka do më kthehet në forma gjeometrike me cepa, së fundmi shoh vetëm pllaka e tela. Dhe gjithçka është e veshur me avull, mjegull, tym.