Në Kuti

Kur isha në kutinë e madhe prej kartoni, ata që kalonin në cepin ku rrija, çuditeshin pse nuk bëja përpjekje të dilja. Por në fakt, nga brenda kartoni kishte një kompesatë të trashë qe ishte e vështirë të çahej – e kisha provuar njëherë ta godisja me këmbë dhe më kishte vrarë gishtin e vogël aq keq sa nuk guxova më.

Ata më pyesnin se si mundja të shihja që aty, unë i tregoja vrimat në anën e majtë, pak poshtë çatisë, ku unë duhet të ngrihesha në gishtat e këmbës për të parë. Vërtet që mund të shihja vetëm nga ana e majtë, pra nga fundi i rrugës, atje ku mbaronte sheshi, por ajo ishte njëkohësisht edhe Lindja, pra kisha përditë rrezet e para të ditës. Epo, jo përditë. Ka ditë me shi, dhe në ato ditë, përveç rrezeve që mungonin, kisha dhe cepin e hollë të çatisë së kutisë që pikonte e bënte një zhurmë që përsëritej bezdisshëm.

Njerëzit kalonin aty e më pyesnin si isha – ka njerëz të mirë plot. Kishte dhe nga ana qe s’më flisnin kurrë. Kishte nga ana që më flisnin për ca kohë, afroheshin e më pyesnin pse s’dilja, a doja ndihmë, më këshillonin, thoshin se do të ktheheshin prapë. Dhe ktheshin prapë, dhe më pyesnin prapë pse s’dilja, une ua shpjegoja prapë të gjitha arsyet e forta – kompesata nga brenda, etj, etj. Më jepnin këshilla prapë, po pak më të zbehta. E gjithmonë e më të zbehta e gjithmonë e më pak rrinin me mua. Derisa une i shihja nga vrimat në të majtë të largoheshin nga sheshi e të ecnin nga ana tjetër e rrugës. Ca ish-këshillues të tjerë kalonin aty ngjitur, dhe pa më folur fare, më shihnin ne sy a thua nuk kishim shkëmbyer kurrë një fjalë më parë. Njëri madje, dikur, një burrë i hollë, jo shumë i gjatë, me mustaqe të vogla, ndaloi e më pa me një nënqeshje të çuditshme, s’kuptohej a po qeshte a po qante, a ndjente gëzim a hidhërim që më shihte përsëri përmes vrimave. E më vuri aq në siklet ai shikim, sa u ula nga gishtat e këmbës e u shtriva pak në kuti të hiqja mendjen.

Ndonjëherë ndihesha i lodhur, aq i lodhur sa flija me ditë të tëra. S’kishte gjë më të paqtë se rrezet e mëngjesit, në kutinë time të ngrohtë. Kthehesha mbarë e prapë e shtriqesha duke shijuar ditën e re. Dyshemeja e kutisë ishte karton, jo kompesatë, kështuqë ishte mjaftueshëm e butë. Aq sa mund të të lejonte trotuari me gurë të thyer.

Kur isha në kutinë e madhe prej kartoni, ata qe kalonin në cepin ku rrija, çuditeshin pse nuk bëja përpjekje të dilja. Po ku dinin gjë ata. Kur je jashtë e ke gjithmonë të lehtë të japësh ide e këshilla, të tregosh historira e të motivosh me budalliqe. E megjithatë, brenda nuk është aq keq gjithsesi. I isha mirënjohës kutisë për çdo gjë më kishte mësuar, për çdo mbrojtje nga çmenduria atje jashtë. Kishte dhe ditë të këqija, sigurisht. Për shembull, një roje parkingu u inatos keq me mua pse nuk lëvizja që aty se i zija një vend të tërë, e me gjithë shpjegimet e mia të arsyeshme, më kërcënoi në fund se do merrte një sharrë e do ma shkatërronte kutinë fare. S’fjeta atë natë nga shqetësimi. Një ditë tjetër, s’po mbushesha dot me frymë. Ishte errësirë. U afrova te vrimat e ato ishin të zëna. U mundova në një kohë që m’u duk një përjetësi, e më në fund arrita të liroj një nga tapat. Mora fryme thellë e pashë aty afër ca rrugeçër që zhgërryheshin në trotuar duke qeshur.

Njëherë kaluan dy veta, nuk i pashë në fytyrë, e duke biseduar me njëri tjetrin, i dëgjova të thoshin se paska shumë kuti të tjera si këto, se po bëheshin problem ne qytet, pengonin trafikun, bllokonin hyrjet, rrinin poshtë urave ku rrezikonin të mbyteshin nga shirat, e atëherë punonjësve të bashkisë u duhej të merreshin edhe me këto kuti të mëdha kartoni kaf. Pastaj thanë duke qeshur se të gjithë këta, do të shpërbleheshin dikur e do të merrnin nje kuti më të mirë, jo kartoni, po druri, komplet dru, e madje i gdhendur e i zbukuruar nga jashtë. Një ditë tjetër, atëherë kur më hipi gjaku në tru, e në një çast mosarsyeje mendova ta godas prapë me shkelm kompesatën, dëgjova “Shpërtheeeeee!”. Dola me nxitim te vrimat e m’u duk se pashë burrin me mustaqe të vogla. Atëherë erdha në vete, e rikuptova se vetëm të çmendurit shkatërrojnë kutitë e tyre.

Kur isha në kutinë e madhe prej kartoni, ata që kalonin në cepin ku rrija, çuditeshin pse nuk bëja përpjekje të dilja. Po unë isha mirë, isha vërtet mirë, ju betohem isha shumë mirë. Nuk gënjej kur them se isha mirë, jam bindur vërtet se isha mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.*