Duke ecur në rrugicën e ngushtë nga puna për në shkollë, vura re se nga shtëpia e vjetër nuk kishte mbetur më asgjë përveç kolonave, dhe në oborrin e saj qëndronin disa burra duke biseduar. Shtëpinë e vjetër e shihja sa herë kaloja nëpër atë rrugicë, kishte diçka melankolike në atë vilë trekatëshe të kohës së shkuar që të tërhiqte vëmendjen. Ishte diçka e ngjashme me ndjesinë që të jep dikush shumë krenar për veten, aq krenar sa të bën ta dëgjosh me kujdes, edhe pse e di që nuk do biesh kurrë dakord me të. Është si hija e fisnikërisë që i josh të gjithë, edhe ata që predikojnë kundër saj me forcë. Nuk e dija mirë se ç’kishte qenë tamam ajo shtëpi në kohën e shkuar. Herë dëgjoja se kishte qenë banesa e një njeriu më shumë influencë, njërit prej atyre që përmendej ende nëpër histori e fjalime, herë dëgjoja se kishte qenë banesa e një milioneri që ia kishte dhuruar për bamirësi jetimores, e një herë, madje, më kishin thënë se kishte qenë zyrë e mistershme hetimi.
Tani shtëpia kishte vetëm kolonat që qëndronin në këmbë kokëfortë, megjithëse të gërryera e të brishta. Kisha ndaluar përballë portës së murrme (besoj nga ndryshku) dhe vështroja tre burra të moshuar, që bisedonin me vrull me njëri-tjetrin. Kishin veshur kostume të mbajtura mirë, të modës së vjetër, nga ato kostumet e shtrenjta që janë blerë shumë vite më parë e janë bërë tashmë pjesë e imazhit të të zotit. Njëri prej tyre mbante ca letra në duar dhe u fliste të tjerëve me zë të lartë, e, teksa fliste, ngrinte njërin grusht ne ajër. Dy të tjerët e dëgjonin me shumë vëmendje e tundnin kokën të bindur. Në oborr qenë edhe dy burra të tjerë, me të rinj, të veshur thjesht. Njëri po merrej me shkurret, i shkulte e i sistemonte. Tjetri ishte përkulur me disa vegla në tokë e, siç dukej, bënte matje. Hodha sytë në rrugicë për të parë a kishte njeri që të mund ta pyesja se ç’po ndodhte aty. S’kishte frymë njeriu. Të vetmit që shihja ishin në lokalin në fillim të rrugicës, ata as dëgjonin e as shihnin ç’bëhej këtej. Isha vonë për në shkollë, por kureshtja më shtyu të futesha në oborr e t’u drejtohesha burrave me kostum.
Sapo më panë, ndaluan së foluri. Ai që kishte letrat në dorë, kishte një fytyrë të egër, po menjëherë buzëqeshi me shumë përzemërsi e m’u afrua me hapa të mëdhenj. Më zgjati dorën e më prezantoi me pjesën tjetër. Shtëpinë e madhe do ta rindërtonin të gjithën, do ta bënin “me të fortë se një kala”, siç m’u drejtua me pasion burri me letra. Të gjithë këtë po e bënin “që njerëzit të kishin një strehë tjetër, ku të ndiheshin të sigurtë, një vend për të gjithë, për të gjitha problemet”. Kishte diçka midis atyre njerëzve që më tërhoqi, dukeshin shumë të sigurtë e të besueshëm. Pranova t’i ndihmoja si të mundja, fundja, në shkollë s’më shkohej. Dy burrat që po merreshin me punime më thanë ç’mund të bëja. Edhe ata dukeshin që kishin ardhur aty me dëshirën e tyre e pa ndonjë përfitim e kjo më pëlqeu. Më thanë të rregulloja e forcoja skeletin e çatisë, të dëmtuar e të vjetër si një rrjetë merimange. U ngjita nëpër shtyllat e dobëta me disa tela në brez e fillova të forcoja hekurat e ndryshkur. Ajri ishte i freskët dhe mua po më shijonte puna aty sipër në çati.
S’kishte kaluar shumë dhe në oborr u afruan dy të tjerë, njëri rreth të tridhjetave e tjetri pak më i madh. I pashë tek flisnin me burrin me letra, që dukej përherë entuziast. Pastaj, të dy iu afruan burrit që bënte matje e ai i shpërndau punët. Më i riu filloi të hiqte dheun e tepërt e ta grumbullonte afër portës, ndërsa tjetri përpiqej të ngrinte në këmbë portën e murrme të shkatërruar. Që aty lart mund të shihja lokalin në fillimin e rrugicës. Tavolina të mbushura me njerëz, që bisedonin për gjëra të kota.
Ktheva kokën nga burri me letra e ai po takonte një tjetër, i cili kishte hyrë aty nga kurioziteti. Ishte një djalë i ri, dukej moshatar me mua, një djalë i qeshur, i cili, pasi u takua me përzemërsi me burrat me kostume, takoi atë që bënte matje e u ngjit sipër në çati të më ndihmonte. Megjithëse në fillim më qe dukur shumë e brishtë, tani çatia dukej e fuqishme; bashkë me djalin tjetër e forcuam shumë me tela e hekura ndihmëse. Tani, në oborr nuk kishte më shkurre e barëra të këqija. Ishin futur tre të tjerë, që filluan të merreshin me suvatimin e kolonave. Porta ishte rregulluar e tani qëndronte në këmbë. Ai që e kishte rregulluar, tani po merrej me muret e shkatërruara përbri saj. Burri që merrej me matjet po fliste me tre të tjerë e, me sa dukej, u thoshte të merrnin tulla për shtëpinë.
Në lokalin në fillim të rrugës, njerëzit ngriheshin e uleshin, e të gjithë më dukeshin njësoj, me problemet e tyre të vogla e thashethemet për ngjarjet e bujshme të gazetave. Burri me letra në duar tani ishte përballë dhjetë a pesëmbëdhjetë të tjerëve që e dëgjonin me kujdes e interes. Ata u bashkuan së shpejti me ne që punonim, e ai me letra, së bashku me dy të tjerët me kostume, sajuan një tavolinë e tri karrige, diku pranë portës. Ndihesha mirë në atë atmosferë të ngrohtë ku të gjithë punonin me dëshirë. Në çati na u bashkua edhe një vajzë qe filloi të punonte me djalin e ri.
Shtoheshim gjithnjë e më shumë e më shpejt. Brenda pak orësh ishim më qindra. Por kjo dukej normale, e natyrshme. Tani, çatia ishte pothuaj e mbaruar, kishim venë tjegulla guri dhe skeletin e hekurit e kishim fuqizuar dyfish. Muret e shtëpisë ishin bërë shumë të fuqishme. Oborri që sistemuar i gjithi, në dy pjesë të tij po ngrinin çadra, ku kishin caktuar një përgjegjës për të pritur të rinjtë nga jashtë. Tavolina pranë portës ku qëndronte burri me letra tani ishte brenda një tende të ngritur e asnjë nga ne nuk afrohej më aty, përveç atij që bënte matje, që shkonte atje herë pas here e këshillohej. Njëri prej burrave me kostum u afrohej herë pas here atyre që punonin e u fliste me zë të lartë, duke ngritur njërin grusht lart. Turma njerëzish mblidheshin në oborr e dëgjonin fjalët e tyre.
Lokali tani ishte mbyllur. Djali dhe vajza që ishin në çati me mua, ishin ulur në cep duke folur e qeshur me zhurmë. Vura re burrin me letra që pa nga të tjerët me kostume e u bëri shenjë për nga çatia. Në një çast djali në çati u afrua dhe e puthi vajzën, që ia ktheu gjithashtu, duke i hedhur dorën në qafë. Atëherë, burri me letra mori një pamje të revoltuar dhe i foli me të shpejtë atij që kishte pranë. Ky i fundit u afrua me tre të tjerë e i thanë djalit dhe vajzës të zbrisnin poshtë. Për një çast, në oborr u bë qetësi. Djali dhe vajza zbritën e të katër ata që i prisnin poshtë, i kapën për krahu e i çuan për nga porta. Turma e ndoqi të gjithë skenën duke pohuar me kokë. Burri me letra u ngjit në një stendë që kishin krijuar pranë tavolinës dhe filloi të fliste me zë të lartë. Turma brohoriste e unë nuk po dëgjoja dot asgjë aty lart në çati. Me fytyrë të nevrikosur, ai ngrinte grushtin në ajër e u drejtohej me vrull njerëzve përballë.
Çdo gjë ecte shpejt, shumë shpejt. Turma ishte çmendur. Bëra të zbrisja për poshtë, kur një predhë shkatërroi gjysmën e çatisë. I tmerruar pashë për nga drejtimi i saj dhe në horizont, aty ku më parë shihja lokalin, aty ku tani po shuhej drita, pashë me dhjetëra tanke që kishin drejtuar tytat për nga oborri ynë. U ktheva rrëmbimthi nga turma që t’i lajmëroja për tanket, po ata dukeshin të përgatitur: kishin heshtur përnjëherë, fytyrat e tyre ishin egërsuar e në duar mbanin gurë e shkopinj. Ktheva kokën nga porta e pashë se murin e kishin rrethuar nga jashtë me mijëra njerëz të armatosur; njëri kishte një megafon e ulërinte. Nga turma brenda oborrit u lëshuan gurë e shkopinj përtej murit, e në atë çast pashë burrin me kostum që i hodhi letrat nëpër stendë e nxori një revolver të vjetër.
Porta u shqye nga ata jashtë e tani turma shtyhej të dilte e të vraponte. Unë zbrita nga çatia e bashkë më të tjerët vrapova drejt fundit të oborrit, të gjeja një mënyrë të hidhesha përtej murit rrethues. Në çastin e fundit, kur isha mbi mur, pashë burrin pa letra që përpiqej t’u shpëtonte duarve të njerëzve të armatosur. Dy predha njëra pas tjetrës e shembën të gjithë shtëpinë dhe e kthyen të gjithë oborrin në një kasaphanë pluhuri, tullash e hekurash.